Dy zyrtarët korrektues nga Kosova, të akuzuar për sulm ndaj një të burgosuri në burgun Vestre në Kopenhagë, janë liruar pas seancës paraprake të mbajtur të mërkurën.
Sipas medias daneze “Avisen”, gjykatësi ka vlerësuar se nuk ekziston rreziku që ata të arratisen, pasi janë të punësuar nga Shërbimi Danez i Burgjeve dhe jetojnë në Danimarkë.
Megjithatë, të dy vazhdojnë të jenë të akuzuar dhe e mohojnë fajësinë, raportojnë mediat daneze DR dhe TV 2.
Sipas aktakuzës, incidenti ka ndodhur më 5 tetor. Dy zyrtarët dyshohet se, në bashkëpunim dhe me marrëveshje paraprake ose mirëkuptim të ndërsjellë, e kanë goditur disa herë të burgosurin me grushte në fytyrë dhe trup.
Sipas policisë, të cituar nga TV 2, njëri prej zyrtarëve dyshohet se e ka shtyrë të burgosurin në shtrat dhe e ka goditur në fytyrë. Më pas, zyrtari tjetër dyshohet se e ka goditur disa herë me grushte në fytyrë dhe trup.
Dy zyrtarët ishin arrestuar më 6 tetor dhe të mërkurën dolën para gjykatës për seancën paraprake.
“Përvojat me zyrtarët korrektues nga Kosova, e mirë”
Pas rastit, Shërbimi Danez i Burgjeve ka thënë se do ta rishikojë trajnimin e zyrtarëve korrektues nga Kosova.
Drejtoresha e këtij Shërbimi, Ina Eliasen, tha se rasti ka ngritur pyetje nëse trajnimi dhe praktika e zyrtarëve nga Kosova janë të mjaftueshme.
“Është e qartë se kur ndodh diçka e tillë, ne do të shikojmë nëse trajnimi ynë për ta është mjaftueshëm i mirë. A është praktika jonë me ta mjaftueshëm e mirë?”, tha Eliasen, sipas medias “Ni.dk”.
Megjithatë, ajo theksoi se deri tani përvojat me zyrtarët korrektues nga Kosova kanë qenë të mira dhe e cilësoi rastin e fundit si një incident të izoluar, pasi, sipas saj, është shumë ndryshe nga ajo që është parë deri më tani.
Incidenti ka ndodhur të hënën në një sektor të burgut Vestre. Sipas aktakuzës së policisë, dy zyrtarët, në bashkëpunim dhe me mirëkuptim të ndërsjellë, dyshohet se e kanë goditur disa herë një të burgosur me grushte.
Sipas aktakuzës, të dy ishin në detyrë dhe kishin përfunduar tashmë periudhën gjashtëmujore të trajnimit dhe praktikës.
Megjithatë, edhe pas përfundimit të praktikës, zyrtarët nga Kosova duhet të shoqërohen nga zyrtarë danezë nëse qëndrojnë dhe punojnë për një periudhë të caktuar në Danimarkë, tha Eliasen.




