Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e institucioneve dhe posteve të tjera publike në Kosovë, duke vlerësuar se aktualisht legjitimitet të plotë politik kanë vetëm kryetarët e komunave dhe asambletë komunale.
Sipas Limajt, këto institucione kanë dalë drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve dhe, për rrjedhojë, janë të vetmet që gëzojnë legjitimitet të qartë nga procesi zgjedhor.
“Me legjitimitet në Kosovë sot janë vetëm kryetarët e komunave dhe asambletë komunale. Të gjitha postet e tjera janë pa legjitimitet”, ka thënë Limaj për IndeksOnline, duke iu referuar situatës aktuale institucionale në vend.
Deklarata e kreut të Nismës vjen në një kohë kur debati politik në Kosovë është përqendruar te funksionimi i institucioneve, mandati i tyre dhe mënyra se si sigurohet legjitimiteti politik për organet qendrore.


