Kreu i Partisë Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke drejtuar shtetin shqiptar që nga viti 2013. Rama ka fituar bindshëm edhe zgjedhjet e fundit të mbajtura këtë vit, duke ia mundësuar kështu edhe një mandat katër vjeçar.
Përgjatë kësaj periudhe 12 vjeçare derisa Rama drejton ekzekutivin shqiptar, pjesë e qeverive të tij dhe pozita të larta kanë qenë dhe kanë mbajtur edhe disa kosovarë
Tre prej tyre, Hajrulla Çeku, Gent Cakaj dhe Besa Shahini, kanë mbajtur pozita në ekzekutivin shqiptar, derisa tashmë s’janë aktiv në politikën e atjeshme.
Hajrulla Çeku ka mbajtur në vitin 2018 pozitën e zëvendësministrit të turizmit dhe mjedisit në Qeverinë Rama. Pas 13 muajsh punë, Çeku kishte vendosur të jepte dorëheqje. I njëjti tashmë është aktiv në politikën kosovare. Pas një mandati si ministër i Kulturës, Çeku tashmë është në garë për kryetar të Prishtinës.
Gent Cakaj gjatë vitit 2018, kishte shërbyer si këshilltar politik i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe më pas kishte marrë edhe pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Cakaj ka mbajtur edhe disa pozita të tjera, derisa pas shkarkimit të Ditmir Bushatit, ai ishte emëruar ministër i Punëve të Jashtme në janar të vitit 2019.
Besa Shahini ka mbajtur pozitën e ministres së Arsimit nga dhjetori i vitit 2018 kur e kishte pasuar Lindita Nikollën, dhe kishte qëndruar në këtë post deri në shtatorin e vitit 2020 kur edhe u zëvendësua nga Evis Kushi. Shahinin e kemi parë të aktivizuar në Kosovë, si kandidate për kryetare të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit.
Dy kosovarët e tjerë, Vlora Hyseni dhe së fundi edhe Liburn Aliu, kanë marrë besimin e Edi Ramës për të drejtuar dy institucione tejet të rëndësishme.

