Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, uruar ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se këto të fundit janë shembulli më domethënës i angazhimit për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të sigurt. Ai ka deklaruar edhe se SHBA-të për shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, janë model frymëzimi dhe mbështetjeje .
Nga i pari i LDK-së është theksuar edhe se kontributi i SHBA-ve për lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm.
”Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm, ashtu siç e artikuloi qartë Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.””, thuhet në postimin e LDK-së.
Postimi:
Mesazhi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Urime Dita e Pavarësisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës
4 Korriku i vitit 1776 shënon një prej datave më të rëndësishme në historinë botërore – shpalljen e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ngjarje nuk është vetëm lindja e një shteti në kuptimin formal, por lindja e një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë.