Ish-deputetja Alma Lama, e ftuar në emisionin Kosova Live në T7, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe mënyrën se si u zhvillua seanca e Kuvendit, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti prezantoi kabinetin qeveritar dhe raportoi për punën e qeverisë në detyrë.
Lama e quajti atë seancë një “spektakël absurd dhe të kotë teatral”, duke theksuar se Kurti u soll sikur të ishte ende në fund të mandatit të qeverisë, e jo në pozitën aktuale të deputetit.
“Seanca për propozimin e kabinetit qeveritar nga Kurti ishte një spektakël absurd, një teatër i kotë ku ai raportonte për punët e qeverisë sikur të ishte në fund të mandatit. Të paktën, po të kishte prezantuar një program qeveritar të ri, do të kishte kuptim. Por ai as këtë nuk e bëri. Ishte vërtet një tallje, si me deputetët, ashtu edhe me votuesit,” – deklaroi Lama.
Sipas saj, Kurti ka vështirësi ta pranojë që nuk është më kryeministër legjitim dhe se qeveria e tij nuk gëzon më asnjë formë legjitimiteti politik.
