Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar unanimisht propozimin që Vjosa Osmani t’i prijë listës së kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, si dhe të jetë kandidate për presidente.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes deklaroi se vendimi është marrë “në unanimitet të plotë”, duke e cilësuar këtë si momentum historik për partinë.
“Në unanimitet të plotë, LDK votoi propozimin dhe vendimin e kryesisë që në garën e ardhshme Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente, unë për kryeministër, dhe t’i kemi 110 kandidatë për deputet”, tha Abdixhiku.
Megjithatë, në mbledhjen ku u formalizua kthimi politik i Osmanit në LDK, nuk kanë marrë pjesë disa prej figurave të rëndësishme të kësaj partie.
Në Këshillin e Përgjithshëm nuk ishin të pranishëm Kujtim Shala, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami.
Mungesa e tyre merr peshë politike për faktin se vendimi për Osmanin u prezantua nga udhëheqja e LDK-së si akt bashkimi dhe tejkalimi dallimesh brenda partisë.
Pas mbledhjes, reagoi ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili nuk ishte i pranishëm në Këshillin e Përgjithshëm. Përmes një shkrimi në Facebook , ai falënderoi degën e LDK-së në Rahovec për besimin që t’i hyjë edhe një mandate gare për deputet.
