Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar Panelin e Apelit që do të shqyrtojë kundërshtimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Paneli përbëhet nga gjyqtarja franceze Michèle Picard, gjyqtari gjerman Kai Ambos dhe gjyqtarja norvegjeze Nina Jørgensen.
Të tre gjyqtarët kanë përvojë në drejtësinë penale ndërkombëtare dhe kanë shërbyer edhe në procedura të tjera pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Michèle Picard është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris. Ajo ka shërbyer më herët si gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa ka pasur edhe angazhime në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe vende të tjera.
Në Dhomat e Specializuara, Picard ka qenë kryegjykatëse e paneleve të Apelit në çështjet Gucati dhe Haradinaj, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Kai Ambos, me shtetësi gjermane, është profesor i së drejtës penale dhe së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Göttingenit. Ai ka punuar si avokat mbrojtës dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.


