Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, pret arritjen e një kompromisi politik për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke vlerësuar se klima pozitive e krijuar në legjislaturën e dhjetë ofron hapësirë për konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kusari-Lila, e cila është pjesë e kabinetit qeveritar, deklaron se partnerët e koalicionit ende nuk kanë diskutuar se a do t’i ofrojnë mbështetje Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente.
Megjithatë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në një intervistë për KosovaPress, thotë se Osmani është një kandidate serioze dhe se sipas saj ka bërë një punë të mirë gjatë pesë viteve të kaluara.
Mandati i presidentes aktuale përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.
“Po unë jam e bindur se do të gjendet një kompromis politik. Nuk po e di a është ky kombinimi i optimizmit apo edhe i ndjesisë që po e marr deri tash nga legjislatura e dhjetë. Fatmirësisht legjislatura 10 ka filluar me një disponim tjetër në kuptimin e komunikimit edhe bashkëpunimit mes grupeve parlamentare pozitë-opozitë… Këto ditë pritet diskutimi tashmë për procesin që po na pret, zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentit, presidentes, domethënë varet. Dhe përmbajtësore është që e para të kemi 30 nënshkrime për cilindo kandidat që prezantohet dhe e dyta, që të sigurohemi që janë 80 deputetë që do të qëndrojnë gjatë procesit… Kjo tashmë është pjesa e dytë që e udhëheq kryeministri Kurti, lider i partisë më të madhe në vend. Ne së shpejti do të kemi një dakordim në kuadër të Grupit Parlamentar… Ende nuk është diskutuar emri i përveçëm, pasi emra janë përmendur, por ende nuk është diskutuar në kuptimin e fillimit të procesit për mbështetje”, thotë ajo.
Në prag të procesit për zgjedhjen e presidentit, Kusari-Lila theksoi se ekzistojnë dy elemente thelbësore procedurale, sigurimi i 30 nënshkrimeve për kandidatin e propozuar dhe garantimi i pranisë së 80 deputetëve gjatë procesit të votimit.
