Në periudhën e zgjatur të mandatit të tij si kryeministër, Albin Kurti mblodhi në Prishtinë diplomatët e vendit në një konferencë ambasadorësh. Në kohën kur partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë shpeshtuar thirrjet për krijim të institucioneve legjitime që do të mund të adresonin sfidat edhe të politikës së jashtme, Kurti hodhi lëvdata për qeverinë e tij me pretendimin se pati shtrirjen më të madhe diplomatike nëpër botë për herë të parë në historinë e vendit. Këto deklarata të tij u përballen me kundërshti e kritika për pozitën aktuale të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është i vetmi dikaster në qeverinë tonë që ka gjithsej 53 degë të ndryshme të shpërndara në gjashtë kontinente, përveç Antarktikut”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në nisje të fjalimit të tij drejtuar diplomatëve kosovarë të cilët u kthyen në vendin e tyre për edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve.
Në fjalimin që do t’i jepte merita të mëdha vetes e vartëses së tij, Donika Gërvalla, për udhëheqjen në politikën e jashtme, Kurti s’e çoi nëpër mend fare faktin që kjo ministri aktualisht është duke punuar pa legjitimet të plotë dhe se partnerët e vendit po kërkojnë institucione fuqiplote për të shtyrë përpara synimet e Kosovës për konsolidim të shtetësisë.
“Kosova sot gëzon përfaqësimin dhe shtrirjen diplomatike më të gjerë në historinë e saj. Jemi krenarë që gjatë mandatit tonë e kemi zgjeruar praninë tonë diplomatike në nivele të papara, duke hapur një ambasadë të re në Kolumbi, një ambasadë të re në Malajzi, një mision në Poloni dhe një mision të posaçëm në Selinë e Shenjtë. Këto momente të rëndësishme forcojnë zërin e Kosovës në skenën globale dhe thellojnë partneritetet e saj në të gjithë botën”.
Ky fragment i fjalimit Kurtit i pëlqeu më shumë, prandaj e ndau edhe në X në gjuhën angleze.
Megjithatë, prezenca e Kosovës nëpër botë – që e promovoi Kurti si më të gjerën në historinë – iu kontestua Kurtit nga një deputet i betuar i PDK-së.
Artan Behrami tha se Kosova ka pak diplomatë në shtete ku Serbia investon më shumë për të lobuar kundër interesave të saj.
Duke përmendur edhe kohën sfiduese për diplomacinë, Behrami mori shembull Hagën ku po zhvillohet gjykimi i krerëve të UÇK-së, duke thënë se “Kosova ka dy-tre diplomatë, Serbia ka 20-30 diplomatë” për të shtyrë përpara narracionin kundër UÇK-së.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës fatkeqësisht nuk është prezente në botë në kohën më të rëndësishme të Kosovës ku Serbia po përjeton një krizë shumë të madhe, ku një qeveri atje është para rrëzimit. Ne nuk kemi diplomatë për të kapitalizuar këtë. S’kemi diplomatë për të luftuar narracionin e Serbisë për ndërrim të historisë që po ndodh në Hagë. Kjo po ndodh se në krye të kësaj ministri janë njerëz jokompetentë”, tha ai në Klan Kosova.