Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në eventin përmbyllës të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, ku ka theksuar se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2011. Ai ka folur edhe për reformat në regjistrimin e pronave dhe mbështetjen për familjet në nevojë.
Duke folur për rëndësinë e të drejtës së pronës dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike e shoqërisë civile, Kurti ka thënë se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike, mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve.
“Është kënaqësi e veçantë të jem bashkë me ju këtu sot në përmbylljen e projektit PIAKOS, një nismë e cila ka vënë në pah rëndësinë e të drejtës së pronës, e cila, si e tillë, nuk duhet të mbetet vetëm garanci në letër, por të jetohet e të zbatohet, të jetohet për secilin qytetar pa dallim. Natyrisht, kjo tematikë është e lidhur ngushtë edhe me dikasterin tonë qeveritar, përkatësisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por besoj se kemi bërë mirë që në këtë mandat e kemi ndarë nga infrastruktura dhe transporti, dhe në këtë mënyrë çështja e pronës, kadastrit dhe banimit, që kanë në bosht zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë sociale dhe programin tonë qeveritar, merr vëmendje më të posaçme. Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje. Banesa është e drejtë e njeriut dhe nuk mund të kuptohet jeta cilësore pa banim të sigurt”, tha Kurti.
Kryeministri ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ATRC-së në kuadër të projektit PIAKOS, duke theksuar se përfitimet e tij janë shtrirë drejtpërdrejt te qytetarët në 16 komuna të vendit. Sipas tij, gratë kanë qenë ndër përfitueset kryesore, veçanërisht në rregullimin e dokumentacionit pronësor dhe procedurave të trashëgimisë.
“Bashkëpunimi i qeverisë sonë me Qendrën për Avokim dhe Trajnim (ATRC), nëpërmjet programit PIAKOS, është me të vërtetë një vlerë e shtuar, sepse ai nuk u ndal te fushata informuese, por u zbatua në terren me qytetarët, përmes mbështetjes direkte në 16 komuna anë e mbanë Kosovës. Me ç’rast, meritë të veçantë kanë shumë aktivistë të cilët punuan në këtë drejtim dhe ku përfituese janë posaçërisht gratë, të cilat arritën të rregullojnë dokumentacionin pronësor, procedurat e trashëgimisë, te noterët dhe shërbimet gjeodezike. Për më pak se një dekadë, është trefishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët. Në vitin 2016, kanë qenë rreth 100 prona në të gjithë Kosovën që janë regjistruar në emër të të dy bashkëshortëve të këtij çifti. Dhe sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31.000. Pra, kemi një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, shtoi.
Kurti ka theksuar se rregullimi i dokumentacionit pronësor nuk është vetëm çështje administrative, por edhe kusht për qasjen në mbështetjen publike, përfshirë programet e renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe banimin social.
“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje, rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj apo programet tona të përfshirjes në banimin social adekuat. Qeveria ka ndërmarrë reforma konkrete në pronë dhe kadastër. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes projektit REGIP, kemi shtyrë përpara rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në gjithë Kosovën. Po punojmë me ngulm dhe me mbikëqyrje të rreptë që ky projekt të përmbushë të gjitha obligimet e planifikuara me kohë, në mënyrë që qytetarët t’i zgjidhin problemet e grumbulluara ndër shumë vite”, ka deklaruar kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka folur edhe për masat që, sipas tij, janë ndërmarrë për të parandaluar abuzimet, falsifikimet dhe tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Ai ka theksuar se rastet e dyshimta në proceset e shpronësimit dhe të kadastrit po përcillen te organet e drejtësisë.
“Pastaj kemi vendosur një standard të ri të llogaridhënies. Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proces të shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në prokurori, meqë prona publike i takon qytetarëve dhe shtetit, që do të thotë se u takon të gjithëve dhe askujt në veçanti”, ka thënë Kurti.




