Në edicionin e tetë të Konferencës së Ambasadorëve, që po mbahet në Prishtinë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin të Kosovës vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë kombëtare .
Ai tha se propaganda e Serbisë në bashkëpunim me Federatën Ruse po egërsohet çdo ditë.
“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare. Lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike në çdo skaj të botës mesazhe të rrejshme kundër Republikës tonë. Duke marrë parasysh këtë klimë sfiduese botërore dhe rajonale, veprimtaria juaja si përfaqësues të Kosovës është jetike për mbrojtje si dhe afirmimin e vendit tonë”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës që të punojnë në harmoni të plotë dhe në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të shtyrë përpara interesat e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive përbën njëkohësisht edhe avantazh edhe sfidë. Avantazhi është se i mundëson shtetit tonë që të ketë 53 zëra të fuqishëm nëpër botë për të shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sfida kryesore është se si të gjejmë një mënyrë që këta zëra tuaj të mos funksionojnë të pa ndërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë si një kor i vetëm me ministrin këtu në Prishtinë në rolin e dirigjentit. Në këtë projekt të unifikuar duhet të bashkëpunoni sa më ngushtë jo vetëm me ministrin por edhe me njëri-tjetrin. Urat e bashkëpunimit duhet të ndërtohen vazhdimisht gjatë gjithë vitit”, tha Kurti.