Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ku është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit dhe sfidat në sistemin e drejtësisë. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u vlerësua puna e EULEX-it në Kosovë, me theks të veçantë roli i tij në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe kontributi në avancimin e sundimit të ligjit.
Në këtë drejtim, të dyja palët u pajtuan se sistemi gjyqësor vazhdon të përballet me sfida, veçanërisht në aspektin e vonesave në trajtimin e rasteve, menaxhimit joefikas dhe mungesës së konsistencës në vendimmarrje. U theksua nevoja për reforma të thella që do të rrisin disiplinën, llogaridhënien dhe efikasitetin në gjyqësor.
