Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se avancimi i këtij procesi tashmë është urgjent.
Pas pjesëmarrjes në Samitin e gjashtë të Planit të Rritjes, që u mbajt në Tiranë, Kurti ka bërë të ditur se bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe komisioneren e BE-së, Marta Kos, kanë diskutuar për reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm Evropian.
Kurti ka theksuar se zgjedhjet e përsëritura në Kosovë kishin ngadalësuar ritmin e reformave, por sipas tij, me stabilitetin e plotë institucional, tashmë është përshpejtuar dinamika e zbatimit të tyre.
Ai është zotuar se Qeveria do t’i përmbushë të gjitha reformat e kërkuara, përfshirë edhe ato për të cilat Kosova ka humbur mundësinë e përfitimit të fondeve evropiane.
“Reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”, ka deklaruar Kurti.




