Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Kongresin e Nëntë Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ku ka theksuar rëndësinë e rolit të sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe forcimin e dialogut social në vend.
Në një postim, Kurti u shpreh se BSPK-ja, me angazhimin e saj të vazhdueshëm për mbrojtjen e punëtorëve, përbën një organizim të rëndësishëm për shoqërinë dhe zhvillimin e vendit.
Ai tha se Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme të konsolidimit ekonomik dhe institucional, ndërsa punëtorët, sipas tij, mbeten shtylla kryesore e zhvillimit.
“Kjo është arsyeja pse politikat tona janë të orientuara drejt ndërtimit të një tregu pune më të drejtë dhe më dinjitoz për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë rikujtoi se nga ky muaj paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro, duke e cilësuar këtë si një nga masat për përmirësimin e pozitës së punëtorëve.
