Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në shënimin e 27-vjetorit të masakrës në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit.
Në këtë ngjarje ku të pranishëm ishin përfaqësues institucional të nivelit qendror dhe lokal, si dhe familjarë të të vrarëve në këtë masakër, Kurti tha se në “Pastasel rikthehemi për të mos harruar kurrë 31 marsin e vitit 1999, ditën kur 106 civilë, burra e djem të paarmatosur u vranë vetëm pse ishin shqiptarë”.
“Ndër ta kishte edhe fëmijë, djem të moshës 13 deri 17 vjeç, të cilët të rrahur e të torturuar i rreshtuan përballë vdekjes dhe i vranë pa mëshirë, duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Kishte edhe pleq, burra me plis të bardhë në kokë simbol i urtësisë dhe i traditës sonë kombëtare. Në atë ditë bashkë me ta u goditën rrënjët e trashëgimia, u goditën fëmijë e pleq, fillimi dhe vazhdimësia”, tha ai.
