Kur kanë mbetur edhe dy ditë afat që Gjykata Supreme të dalë me vendim sa i përket ankesave për zgjedhjet e 28 dhjetorit, njohës të politikës shprehen optimist se deri në mes të shkurtit, Kosova do t’i ketë institucionet e reja.
Vullnet Buqaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës thotë se në momentin kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet e zgjedhjeve hapet afati kushtetues për presidenten e Republikës që ta caktojë dhe ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.
“Nga pikëpamja kohore, unë besoj se kjo mund të realizohet rreth mesit të këtij muaji, pra si thirrja e seancës, ashtu edhe mbajtja e saj dhe vetë konstituimi i Kuvendit në përputhje të plotë me afatet dhe parametrat kushtetues. Megjithatë, duhet të pritet dinamika e zhvillimeve dhe mënyra se si Gjykata Supreme e Kosovës do t’i trajtojë ankesat e paraqitura. Gjithçka është e ndërlidhur me këtë proces dhe me epilogun që do të kenë këto ankesa në Supreme”, tha Buqaqku.
