Janë bërë më shumë se tre muaj prej vdekjes tragjike të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Pas publikimit të pamjeve u ngritën dyshime se ai u ngufat nga policët që po përpiqeshin ta arrestonin. Për këtë rast pesë policë janë duke u hetuar për vrasje nga pakujdesia. Ndërkaq sot ka folur ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, Agron Thaqi. Ai ka thënë se mjeku ligjor përkatës ka pranuar javën e kaluar rezultatet e analizave toksikologjike dhe se raporti i autopsisë do të përfundojë brenda një periudhe të shkurtë.
Në natën e 7 korrikut të këtij viti, policia ka thënë se kanë pranuar informacione se i ndjeri po sulmonte me veturë kalimtarët në Lipjan. Gjatë arrestimit, Zejnullahu vdiq në duart e policëve. Pamjet që u publikuan shtuan dyshimet se bëhet fjalë për ngufatje.
Për këtë rast tashmë pesë policë po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, Agron Thaqi, ka thënë se rezultatet e analizave toksikologjike i ka pranuar javën e kaluar mjeku ligjor që e ka kryer autopsinë.
“Rezultatet e analizave toksikologjike për të ndjerin Agon Zejnullahu, janë pranuar javën e kaluar nga mjeku ligjor i cili ka kryer autopsinë dhe është përgjegjës për rastin në fjalë.”
Ai ka thënë se brenda një periudhe të shkurtë kohore do të përfundojë raporti i autopsisë dhe i njëjti do t’i dorëzohet prokurorit.
“Raporti i autopsisë ka qenë në pritje të këtyre rezultateve dhe pritet që brenda një periudhe të shkurtër kohore të përfundohet dhe të dërgohet tek prokurori kompetent”, tha ai për Express.
Thaqi nuk u përgjigj mbi gjetjet e deritanishme, duke thënë se raporti është dokument konfidencial.
“Theksojmë se raporti i autopsisë dhe gjetjet përkatëse përbëjnë dokument konfidencial, në të cilin kanë qasje vetëm mjeku ligjor përgjegjës për rastin dhe prokurori i rastit. Pas përfundimit të raportit, mjeku ligjor e dorëzon atë tek prokurori kompetent sipas legjislacionit në fuqi”, tha Thaqi.
IML pati lëshuar një reagim, një ditë pas rastit, ku thoshte se autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.
