Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të pezullojë zbatimin e vendimit për kalimin në Tregun e Lirë të energjisë elektrike, të paktën deri më 1 shkurt 2026.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, Rafuna shprehu shqetësimin e komunitetit të biznesit, duke theksuar se vendimi i ZRRE-së po ndikon negativisht në prodhim, eksport dhe konkurrencën e bizneseve vendore.
“Pasojat tashmë kanë filluar të ndihen. Importi është rritur për 12 për qind, eksporti ka filluar të bie, dhe çmimi i prodhimeve vendore pritet të rritet për shkak të kostos më të lartë të energjisë. Bizneset nuk kanë pasur oferta të shumta për furnizim me energji elektrike dhe janë të detyruara të lidhin marrëveshje që nuk janë në favor të tyre,” tha Rafuna.