Kryetarët e Këshillave të Lagjeve dhe Fshatrave në Mitrovicë po kërkojnë zgjidhjen e çështjes së kompensimit për angazhimin e tyre, duke thënë se prej rreth pesë vitesh nuk janë paguar për punën që kanë bërë në komunitetet ku janë zgjedhur.
Kryetari i Këshillave të Lagjeve dhe Fshatrave në Mitrovicë, Isak Hajra, thotë për KosovaPress se kryetarët e këshillave kanë vepruar vazhdimisht në terren, duke u angazhuar për zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve.
“Ne si kryetarë të këshillave afro pesë vjet nuk jemi kompensuar, mirëpo kryetarët e këshillave gjithmonë kanë punuar e vepruar në komunitet, atje ku kanë qenë të zgjedhur. Mirëpo, edhe në bazë të kërkesave të tyre, shpenzimeve që kanë pasur nevojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë më të mirë të mundshme, Komuna nuk ka qenë në gjendje dhe nuk pati gatishmëri t’i kompensojë. Pesë vjet me radhë kanë punuar dhe vepruar me shpenzimet e tyre dhe unë mendoj se kjo nuk është e drejtë. Një kryetar këshilli është i zgjedhur nga komuniteti me votën e qytetarëve, prandaj edhe jemi të zgjedhur me vendimin e Kuvendit Komunal”, tha Hajra.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje kanë zhvilluar takime edhe me ish-kryetarin e Komunës, ku, sipas tij, u ishte thënë se mjetet ekzistonin, por duhej të gjendej forma e kompensimit.
Sipas nenit 15 të Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Mitrovicës, aktivitetet e këshillave lokale mund të financohen nga komuna, banorët, përmes financimit të përbashkët ose nga donatorët. Ndërsa neni 16 parasheh kompensimin e kryetarëve të këshillave lokale nga buxheti i komunës, për pjesëmarrje në gjashtë mbledhje brenda vitit kalendarik.
Hajra tha se janë befasuar nga qëndrimi i Komunës së Mitrovicës se kryetarët e këshillave nuk mund të kompensohen, duke shtuar se, sipas informacioneve që kanë marrë nga institucionet qendrore dhe Avokati i Popullit, nuk ekzistonte ndonjë pengesë ligjore për këtë.
