Kuvendi Komunal i Junikut ka gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këshilltar lokal. MAPL me ligjin për Vetëqeverisjen Lokale obligohet ta njoftojë Qeverinë kur Komunat dështojnë ta zgjedhin Kryesuesin e Kuvendit të tyre brenda 30 ditësh nga themelimi. Kuvendi i Junikut e kreu këtë votim në ditën e 31-të. Me ligj, Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin lokal, që shkaku i shkeljes së afatit të përcaktuar me ligj konsiderohet jofunksional.
Ruzhdi Shehu më 12 dhjetor 2025 dha betimin për mandatin e dytë në krye të Junikut. Pos tij, në të njëjtën seancë u betuan edhe 15 asamblistët e Kuvendit Komunal, të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025, duke themeluar kështu legjislaturën e re lokale në komunën e vogël të rajonit të Dukagjinit.
Për dallim nga Shehu që me betimin para Kuvendit Komunal nisi funksionalizimin e mandatit të ri në krye të qytezës, përfaqësuesit e zgjedhur të asamblesë së Junikut kishin për obligim ta kryenin edhe një detyrë: Zgjedhjen e kryesuesit të tyre. Brenda afatit të caktuar. Në rastin e kundërt u rrezikohet mandati të 15-ve.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale që rregullon funksionimin e Komunave dhe Kuvendeve të tyre Komunale, parasheh që kjo të bëhet brenda 30 ditësh nga themelimi i tyre.
Në rast se nuk ndodhë, i njëjti ligj, nënparagrafin a) të paragrafit të dytë të nenit 50, me automatizëm parasheh që Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues .
Kuvendi i Junikut kryesuesin e zgjodhi tek më 12 janar 2026 . 31 ditë pas betimit të kryetarit dhe këshilltarëve komunal, që nënkupton themelimin e legjislaturës së re lokale.
Në krye të saj u vu Leonard Llolluni i AAK-së, i cili i siguroi edhe votat e LVV’së, duke ia marrë kështu opozita postin e rëndësishëm LDK-së, e cila me Ruzhdi Shehun qeverisë komunën.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, në paragrafin 3 të Nenit 50, thotë se në raste të tilla kur kuvendi komunal konsiderohet jofunksional, pasi ka dështuar që brenda 30 ditësh ta zgjedhë Kryesuesin, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale [MAPL] e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.
