Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, në një deklarim për media me presidenten Vjosa Osmani, është shprehur i bindur se njohja e Kosovës nga ky shtet, është fillesa e një marrëdhënie që ata synojnë ta forcojnë vazhdimisht.
Davis, është shprehur edhe se, rëndësia e njohjes dëshmohet edhe nga fakti se Osmani ka nënshkruar dokumentin në Bahamas, gjë e cila ka thënë ai, ka domethënie të veçantë për ta.
‘‘Më lejoni ta filloj duke përshëndetur praninë e mediave tona vendore, si dhe të atyre që ju kanë shoqëruar, President Osmani. Mendoj se rëndësia e këtij momenti dëshmohet nga fakti që ju, si Presidente e Kosovës, e keni parë të arsyeshme të na nderoni me praninë tuaj për të nënshkruar dokumentin e njohjes këtu në Bahamas. Kjo ka një domethënie të veçantë për ne, që ju keni ndarë kohë nga orari juaj i ngarkuar për të udhëtuar në Bahamas dhe për ta çuar deri në fund këtë proces. Nuk ka dyshim se kjo është fillesa e një marrëdhënieje që ne do të synojmë ta forcojmë vazhdimisht. Ka shumë aspekte bashkëpunimi që do t’i ndjekim, veçanërisht në një botë ku ka kaq shumë sfida gjeopolitike që na prekin të gjithëve, e sidomos duke pasur parasysh të gjitha sfidat që Kosova ka kaluar ndër shekuj, nëse mund të shprehem kështu’’, ka deklaruar kryeministri i Bahamas, transmeton Gazeta Express.
Tutje, ai ka deklaruar edhe se, është mirë që do të ndahen vlerat, përvojat e përbashkëta dhe do të përdorën ato për të përmirësuar jetën e qytetarëve të te dy vendeve.
