Shpallësi i Pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri e ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në intervistën në Klan Kosova ka folur për shumë gjëra. Prindërit, Kosovën, marrëdhënien e vendit me Amerikën, Banjskës e shumë gjëra tjera.
Ish-presidenti i Kosovës që sot po gjykohet në Hagë, komentoi rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e luajtën në çlirimin e vendit.
Thaçi e konsideron se asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar më i suksesshëm sesa ai i NATO-s në Kosovë, gjë për të cilën tha se pa rolin lider të ShBA-së, Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë.
“Asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar me i suksesshëm sesa në Kosovë. Është fakt i pamohueshëm, ishte punë e përbashkët e SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Por, pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë”, tha Thaçi në Rubikon.
Thaçi tutje foli edhe për bashkëpunimin me BE-në dhe vendet e tjera, bashkëpunim për të cilin tha se ishte interlokutori prej kryesorëve.
“Sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera perëndimore – kam qenë interlokutori prej kryesorëve. Bashkëpunimin e vlerësoj cilësor. Kemi pasur edhe gjëra qe nuk jemi pajtuar, për çka jam deklaruar edhe publikisht. Jam i sigurt SHBA dhe Perëndimi e duan Kosovën më të përparuar”, tha ai.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian “sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”.
Thaçi u shpreh se roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm.
“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi”.
“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”, u shpreh Thaçi
Ish-presidenti ka folur edhe për bashkëpunimin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e perëndimit.
Thaçi tha se kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtuar lidershipit dhe popullit kosovar, sipas tij, kanë qenë në të mirë të Kosovës, të sinqerta, parimore dhe që lidheshin me interesat e ty vendeve.
“Kërkesat e SHBA-ve drejtuara lidershipit dhe popullit kosovar kanë qenë në të mirë të vendit tonë – të sinqerta dhe parimore, që lidheshin me interesat e të dy vendeve, për rend kushtetues dhe ligjor, harmoni etnike, fetare dhe qytetare, prosperitet ekonomik, shoqëri multietnike dhe integrimi i tyre në shoqëri dhe institucione, forcimin e shoqërisë civile, media të lira, luftë kundër terrorizimit dhe radiklizmave tjerë”, tha Thaçi në Rubikon me Adriatik Kelmendin, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se nëse dikush e kupton realizimin e vullnetit të popullit për liri dhe pavarësi si dëgjueshmëri apo sërvilizëm të tij në raport me Shtetet e Bashkuara, Thaçi u shpreh se “lëre që nuk ndihem i akuzuar, por ndihem shumë i nderuar”.
“Nëse ndokush e kupton realizimin e vullnetit të Popullit për Liri, Pavarësi, para pak vitesh edhe themelimin e Ushtrisë së Kosovës, njohja nga 119 shtete dhe integrimi në organizatat ndërkombëtare si dëgjueshmëri apo servilizëm timin në raport me SHBA dhe Perëndimin – lëre që nuk ndihem i akuzuar por ndihem shumë i nderuar. Nuk jam bukëshkalë!”, tha Thaçi.
Thaçi, me sinqeritet të madh tregoi se gjatë rrugëtimit të tij politik ka bërë gabime, por tha se kurrë nuk ka gënjyer dhe mashtruar.
“Po, kam bërë plot gabime, por nuk kam gënjyer dhe mashtruar. Nuk kam synuar të bëjë idealin, besoj kam bërë realistin. Kam ecur paralel me parimoren dhe pragmatiken, jam munduar të tregohem sa më pak egocentrik”, tha Thaçi.
Më tej, ai u shpreh se në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri dhe shtetbërje, në parim dhe strategji nuk do të ndryshonte diçka me peshë.
“Në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri e shtetbërje në parim dhe strategji nuk do të ndryshoja diçka me peshë, në planin taktik, periudhat kohore të vendimeve dhe aktorët – do të ndryshoja në raste të caktuara”, tha Thaçi.
Ai u shpreh se Kosova ishte përballë dy sfidave, ta themelojë Specialen në koordinim me ShBA-të dhe BE-në ose vendit do t’i imponohej një gjykatë e njëjtë, por me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës.
“Kosova ishte përballë dy sfidave: të themelojë këtë gjykatë vet në koordinim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ose Kosovës do t`i imponohej një gjykatë e njëjtë, por e themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës, por që do të përkrahej edhe nga SHBA dhe BE”, u shpreh Thaçi në Rubikon.
Tutje, ai tha se Kosova e bëri zgjedhjen e parë, themelimin e Speciales në koordinim me ShBA-të dhe BE-në, zgjedhje të cilën e quajti shumë sfiduese “por më e përgjegjshme”.
“Kosova bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme. Me garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë se do të punohet me legjislacionin kosovar, pra jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj, detyrimisht të respektohet”, tha Thaçi.