Rreth 150 mijë lodra për fëmijë, të ndaluara në kufirin e Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të sigurisë, do t’u nënshtrohen procedurave të kthimit në Kinë ose shkatërrimit.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila thotë se kryen kontrolle të vazhdueshme edhe për lodrat që tashmë shiten në vend.
Por, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, e kundërshton këtë vlerësim.
“Ky treg është totalisht i pakontrolluar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur mungesën e inspektorëve të specializuar dhe testimeve laboratorike.
Ministria nuk konfirmoi nëse do të kontrollohen kompanitë importuese për të verifikuar nëse produkte të njëjta me lodrat e ndaluara, gjenden tashmë në shitje.
Pse u ndaluan 150 mijë lodra?
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, njoftoi më 10 nëntor se kishte ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave me origjinë nga Kina.
Kontrollet u zhvilluan në pikat doganore, në kuadër të një aksioni të përbashkët të vendeve të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA), me mbështetjen e organizatës gjermane GIZ.
Sipas Ministrisë, lodrat iu nënshtruan kontrolleve administrative dhe teknike përpara doganimit, gjatë të cilave u konstatua se nuk i përmbushnin kërkesat e Rregullores për Sigurinë e Lodrave dhe standardit evropian EN 71.
Megjithatë, autoritetet nuk specifikuan se për çfarë lloje lodrash bëhet fjalë, cilat mangësi janë identifikuar dhe nëse janë kryer analiza laboratorike.
Për rrjedhojë, nuk dihet nëse produktet përmbanin substanca të rrezikshme apo nuk i plotësonin kërkesat e tjera të përcaktuara me rregullore.
E pyetur nëse do të kontrollohen edhe kompanitë importuese për të verifikuar nëse produkte të njëjta shiten tashmë në Kosovë, Ministria tha se inspektimet kryhen në mënyrë sistematike tek importuesit, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë.
Por, nuk konfirmoi nëse janë planifikuar kontrolle të posaçme pas ndalimit të kësaj sasie lodrash dhe nuk ofroi të dhëna për rezultatet e inspektimeve në tregun e brendshëm.
Sa kontrollohen lodrat në Kosovë?
Ndryshe nga Ministria, e cila thotë se kontrollet kryhen në mënyrë sistematike, ish-ministri Mulaj e konsideron mbikëqyrjen e tregut të lodrave të pamjaftueshme.
Sipas tij, në Kosovë mungon një trup inspektues i specializuar për këto produkte, ndërsa mostrat rrallë dërgohen për analiza laboratorike.
“Nuk është hera e parë që janë kthyer. Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur janë kthyer”, thotë Mulaj, duke iu referuar lodrave të ndaluara.
Ai thotë se një nga problemet kryesore është mungesa e laboratorëve të specializuar në Kosovë për të analizuar përbërjen kimike të lodrave dhe për të identifikuar substanca që mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.
Mungesa e këtyre kapaciteteve e vështirëson verifikimin e sigurisë së produkteve përmes testimeve laboratorike.




