Emri i këtyre votuesve që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të mbetët vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.
Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili ka thënë se është detyrim ligjor për KQZ-në që secili votues që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, emrin e tij ta largojë nga lista e votuesve në Kosovë.
Informacionin ua transmeton individualisht KQZ-ja të gjithë atyre të cilët aplikojnë dhe arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës.
“Është detyrim ligjor për KQZ-në, që secili votues që regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, emrin e tij ta largojë nga lista e votuesve e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Pra, një shtetasi Kosovës, që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, KQZ ua transmeton individualisht të gjithë atyre shtetasve të cilët aplikojnë dhe arrijnë që të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Elezi ka shpjeguar edhe rastet kur ndonjë shtetasë, pasi arrin të regjistrohet si votues jashtë Kosovës, kërkon që të rikthehet në listën e votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotimin e tij.
