Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) do të vazhdojë të mbështetet tek Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për mirëmbajtjen dhe sigurinë e platformës online për publikimin e rezultateve zgjedhore, e cila do të përdoret edhe për zgjedhjet e 7 qershorit.
Platforma, përmes së cilës publiku do të mund të përcjellë në kohë reale rezultatet preliminare pas mbylljes së procesit të votimit dhe nisjes së numërimit të votave, u zhvillua vitin e kaluar me mbështetje britanike dhe do të përdoret sërish në këtë proces zgjedhor.
Komisioni kishte hasur në telashe të mëdha me platformën në të kaluarën, si për shembull në zgjedhjet e shkurtit 2025, kur serveri dhe ueb-faqja zyrtare binin vazhdimisht në ditën e zgjedhjeve.
Ambasada britanike në Prishtinë thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se – derisa vitin e kaluar ndihmoi në zhvillimin e softuerit të ri për tabelimin dhe publikimin e votave – në zgjedhjet e kësaj të diele do ta mbështesë komisionin në përdorimin e tij.
Ajo shton se kjo po bëhet përmes një projekti të financuar nga Qeveria britanike, derisa softueri është zhvilluar nga një kompani ndërkombëtare me seli në Angli, në bashkëpunim me një kompani lokale të Teknologjisë Informative në Kosovë.
“Kjo organizatë (BAE Systems Digital Intelligence) ka kryer gjithashtu testime të infrastrukturës IT të sistemeve me qasje të jashtme dhe do të ofrojë monitorim të avancuar gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me qëllim mbrojtjen nga sulmet kibernetike që ndodhin gjatë zgjedhjeve”, thekson Ambasada britanike.
Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike, thotë se KQZ-ja duhet të investojë që të mos ketë probleme me platformën, qoftë me numërimin e votave, qoftë në publikimin e tyre.
“Është shumë e rëndësishme që sistemi të jetë i qasshëm pikërisht në kohën e publikimit të rezultateve. Platforma duhet të përballojë një numër të madh vizitash njëkohësisht dhe të bllokojë sulmet eventuale”, thotë ai.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha se platforma e rezultateve është pronë e komisionit zgjedhor dhe “paraqet një komponent të rëndësishëm të infrastrukturës sonë zgjedhore”.
Sipas tij, tani Qeveria britanike është duke e mbështetur KQZ-në aspektin e mirëmbajtjes dhe avancimit të funksionaliteteve të platformës.
