Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove zgjedhore që përmbajnë fletëvotimet për qytetarët e Kosovës të regjistruar jashtë vendit, të cilët kanë zgjedhur të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, pakot me fletëvotime do t’u dërgohen rreth 58 mijë votuesve që janë regjistruar për votim me postë. Ndërkohë, 19,257 votues të tjerë, të cilët janë regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do të votojnë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike ku janë të regjistruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet janë prodhuar në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor. Pas pranimit të tyre, shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar përgatitjen e pakove individuale, të cilat tashmë janë të gatshme për t’u dërguar në adresat e votuesve jashtë vendit.
“Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.
