Kosova do t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë dhe Malit në Zi në luftën me zjarret. Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme të ofrojë mbështetje me kapacitetet që ka në dispozicion.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka theksuar se në situata të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi kanë rëndësi të veçantë.
“Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje dhe të kontribuojnë aty ku kapacitetet tona mund të jenë të dobishme”, ka thënë Maqedonci.