Ndërsa qytetarët e Kosovës po i drejtohen kutive të votimit këtë të diel, një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë zgjedhur që fundjavën ta kalojnë në bregdetin shqiptar. Fluksi i lëvizjeve drejt Shqipërisë ka qenë i dukshëm edhe gjatë së shtunës megjithëse në nivele më të ulëta krahasuar me fundjavat e zakonshme të sezonit.
Të dhënat e Policisë Kufitare dhe Migracionit tregojnë se rreth 9 mijë shtetas nga Kosova kanë hyrë në territorin shqiptar vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës dhe të dielës përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinit. Shifrat konfirmojnë se Shqipëria vijon të mbetet destinacioni kryesor për pushimet e fundjavës për qytetarët kosovarë.
Megjithatë, krahasuar me fundjavat e muajit maj, numri i hyrjeve gjatë fundjavës së parë të qershorit rezulton më i ulët. Kjo lidhet kryesisht me procesin zgjedhor në Kosovë, i cili ka bërë që një pjesë e qytetarëve të mos shkojnë në Shqipëri këtë fundjave për të marrë pjesë në votime.
