Korrespondenti special i BBC-së, Allan Little, ka rrëfyer takimin e tij me komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, gjatë muajve të parë të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke sjellë kujtime nga një prej periudhave më të errëta të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Little, i cili ishte në terren gjatë luftërave ballkanike të viteve ’90, përshkruan një realitet të karakterizuar nga frika, dhuna dhe dëbimet masive të popullsisë. Në rrëfimin e tij, ai kujton netët kur në distancë shiheshin zjarret e fshatrave që digjeshin gjatë fushatave të spastrimit etnik. Flakët ishin shpesh e vetmja dritë që dukej në peizazhin e errët, ndërsa njerëzit e zonave të prekura jetonin nën ankth dhe pasiguri.
Një nga skenat që i ka mbetur më fort në kujtesë ishte ajo e një grupi të madh refugjatësh që po dilnin nga një pyll, pasi ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Sipas Little, ishin rreth 40 mijë njerëz që po largoheshin nga vendbanimi i tyre pas një avancimi të forcave serbe. Shumica e tyre udhëtonin në këmbë, ndërsa disa të tjerë ishin vendosur në mjete të vjetra bujqësore, të tërhequra nga gomarë.
Mes tyre, gazetari vuri re një burrë të moshuar, rreth 80 vjeç, i cili dukej i rraskapitur dhe mund të rrëzohej. Burri i tregoi se ishte ndarë nga gruaja gjatë arratisjes dhe ishte i shqetësuar sepse nuk e dinte nëse ajo kishte arritur të shpëtonte.
Në atë moment, Little e pyeti nëse ishte kroat apo mysliman. Përgjigjja e të moshuarit i ka mbetur në kujtesë për dekada.
“Jam muzikant”, i tha ai.
Për Little, kjo përgjigje ishte një kujtesë e fuqishme sesi lufta dhe gjuha etnike i reduktonin njerëzit në kategori të thjeshta, duke harruar se pas tyre qëndronin individë me profesione, familje, ëndrra dhe histori të ndryshme. Ata nuk ishin vetëm serbë, kroatë apo myslimanë, por edhe muzikantë, mjekë, shkencëtarë, fermerë, prindër, fëmijë, vëllezër dhe motra.
Në verën e parë të luftës, Little u takua me Ratko Mlladiçin në kazermat e Lukavicës, në jug të Sarajevës. Ai e përshkruan ambientin si një vend të mbushur me armë dhe me praninë kërcënuese të forcave paramilitare.
Në atë periudhë, sipas rrëfimit të gazetarit, një kallashnikov mund të blihej për rreth 200 dollarë, ndërsa një granatë dore kushtonte vetëm një dollar, afërsisht sa çmimi i një veze të freskët në Sarajevën e rrethuar.


