Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Hekuran Nikçi, me të cilin diskutoi për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, çështjet e pazgjidhura pronësore dhe hapat e nevojshëm drejt përmbylljes së mandatit të Agjencisë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi, si dhe nevojës për identifikimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore mbi këto asete. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes për Kadastrin, të arritur në Bruksel më 2 shtator 2011, përmes së cilës Serbia ishte zotuar për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova. Pavarësisht marrëveshjes dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë një projekt në vlerë prej rreth 2 milionë eurosh në funksion të zbatimit të saj, Serbia ende nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet e marra. Kjo vazhdon të vështirësojë trajtimin e çështjeve pronësore dhe garantimin e sigurisë juridike mbi pronën.




