Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke kritikuar edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj politikës së Beogradit.
Konjufca tha se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresive, ndërsa përmendi edhe bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me Kinën dhe qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.
“Në të njëjtën kohë edhe ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina, dhe është i vetmi vend i cili në rajon mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit iranian Khamenei. Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Milosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën sërish, është një deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por duhet të merret po aq me vëmendje dhe me seriozitet edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë, që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë dhe në paqen e rajonit tonë. Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë”, tha Konjufca, në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.



