Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka folur për idenë e bashkëpunimit politik ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke zbuluar se për këtë nismë kishte gjetur përkrahje nga figura të rëndësishme të të dyja partive, përfshirë edhe kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
Mustafa ka treguar se kishte zhvilluar takime me përfaqësues të të dy subjekteve politike dhe se Kurti kishte qenë i gatshëm ta dëgjonte propozimin dhe të diskutonte mundësinë e bashkëpunimit.
“E kam filluar idenë dhe kemi gjetur përkrahje nga akterë të rëndësishëm politikë nga të dyja partitë, PDK dhe VV. Nga akterët kryesorë, edhe nga z. Kurti. Ai ka gjetur kohë me dëgju dhe nuk është që nuk ka qenë i interesuar për mundësi”, ka deklaruar Mustafa në emisionin "DPT te Fidani" në Klan Kosova.
Ai ka bërë të ditur se takimet me përfaqësuesit e të dyja partive janë zhvilluar edhe me persona të tjerë, ndërsa ka sqaruar se pas vendimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mundësitë e bashkëpunimit ishin kufizuar në çështje të caktuara.
“Tani këto janë publike që ne jemi takuar, jemi takuar edhe me të tjerë. Ka ardhur vendimi kundër bashkëluftëtarëve tanë, ashtu qysh i erdhi i papritur, dhe ne i kemi kufizuar mundësitë në bashkëpunim ekskluzivisht për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, mbrojtjen e UÇK-së”, ka thënë ai.

