Pas zhvillimeve të fundit në Komisionin e Pavarur të Mediave ka reaguar ashpër Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Në një vendimmarrje urgjente online, anëtarët e këtij këshilli e kanë dënuar fuqishëm deklarimin e nënkryetares së KPM-së, Drita Morina, e cila, pa asnjë mbështetje në Kodin e Etikës të KPM-së, sipas këshillit, ka paralajmëruar mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
“Si profesionistë të mediave gjykojmë se organet e pavarura duhet të kenë shumë kujdes gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, sidomos kur ato ushtrohen nga eksponentë të partive politike.”, thuhet në deklaratën e KMSHK-së.
Ky këshill i ka bërë thirrje KPM-së që të ruajë pavarësinë dhe të gjykojë drejt, në përputhje me standardet e Kodit të Etikës të KPM-së.
