Kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu në vitin 2026 ka hyrë në kredi për blerjen e një banese prej 128 metra katror, në vlerë 128.740 euro, apo 1 mijë euro metri katror. Banesa është blerë në lagjen Arbëria, ku sipas çmimit të tregut për banesat në ndërtim e sipër, rezulton se metri katror sillet së paku rreth 1500 euro.
Haxhiu së bashku me bashkëshortin gjatë vitit 2025 kanë pasur të hyra 39 mijë euro, pa përfshirë meditjet dhe kompensimet e udhëtimit.
Për blerjen e kësaj banese, Haxhiu ka marr kredi 160 mijë euro, për 320 muaj apo 26 vjet, për të cilën do të paguaj në total afër 300 mijë euro. Ndërsa, kësti mujor rezulton të jetë rreth 950 euro.
Haxhiu ka thënë se kredinë 160 mijë euro e ka marrë për blerjen e banesës 128 mijë euro, dhe parapagimin e kredive të mëparshme, me normë të interesit fikse 5.5 përqind.
“Kredi kam aplikuar 160 mijë euro. Interesi i kredisë është fiks 5.5 përqind për krejt periudhën e kredisë, pra nuk ndryshon si dhe llogaritet në borxhin e mbetur”, ka thënë Haxhiu.
Ajo çfarë tjetër është diskutuar prej muajsh, qysh në kohën kur Haxhiu ishte ministre e Drejtësisë, është ndërrimi i shpeshtë i garderobës, për çka është komentuar shumë në publik.
Në lidhje me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur Haxhiun, nëse ka nënshkruar ndonjë kontratë me ndonjë biznes, apo veshjet i blenë të gjitha, Haxhiu ka zgjedhur viktimizimin gjinor, anipse ajo vet një kohë kishte komentuar veshjet e deputetes Blerta Deliu, për të cilën kishte thënë se Kuvendi i Kosovës është më shumë sfilatë mode, sesa institucioni ku mbrohen interesat e qytetarëve.
“Ndërsa për atë mendoj që është praktike që fokusi i diskutimit publik të zhvendoset nga puna politike te veshja e një gruaje në politikë. Nuk besoj që standardi i njëjtë aplikohet ndaj burrave në politikë. Veshja ime është çështje personale dhe nuk ka lidhje me përgjegjësitë, qëndrimet apo punën time publike. Unë nuk kam as nuk do të kem kurrë marrëveshje me ndonjë biznes”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu ka në bashkëpronësi një banesë, në sipërfaqe prej 82 metra katror, të cilën ka deklaruar se e ka nga shitja/ ndërrimi me tokë në vitin 2007.
Haxhiu ka edhe një tokë prej 6 ari në bashkëpronësi, të trashëguar në vitin 2017.
