Avokati Ivan Niniq ka publikuar në rrjetin social X pamje të makinës së shkatërruar të Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, i cili u plagos fundjavën e kaluar në rrethana të paqarta pranë fshatit Jelakce, në veri të Kosovës.
Sipas Niniqit, Vukashinoviq u qëllua “padyshim me një plumb serb, si një kafshë”, duke nënkuptuar se pas sulmit qëndrojnë forcat serbe të sigurisë. Ai ka publikuar edhe fotografi të makinës së dëmtuar, që sipas tij i përkiste të plagosurit, duke kërkuar reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
“Makina e Milanit, e cila u shkatërrua gjatë sulmit ndaj tij, u gjet sot. I bëj thirrje EULEX-it dhe KFOR-it të zhvillojnë një hetim në vendngjarje, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë – sepse kjo është ‘Banjska 2’,” ka deklaruar avokati.
Ndërkohë, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë konfirmuar se Vukashinoviq, shtetas serb me vendbanim në Kosovë, është qëlluar brenda territorit të Kosovës nga forcat ushtarake serbe, pas së cilës është rrëmbyer dhe dërguar në Serbi.
