Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale është realizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në kuadër të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku një pacient 28-vjeçar është trajtuar me sukses pas një dëmtimi të rëndë që kishte pësuar muaj më parë.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një pacient mashkull, i cili prej rreth 10 muajsh mbante një plumb të mbetur në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë.
“Falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, trupi i huaj është larguar përmes një ndërhyrjeje moderne dhe minimale invazive. Operacioni është kryer duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal, e cila mundëson ndërhyrje pa hapje të madhe kirurgjikale, duke reduktuar rrezikun e komplikimeve dhe duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e rikuperimit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
