Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka bërë thirrje për unitet mes deputetëve lidhur me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Mendoj që deputetët e kanë kryer detyrën e vet në lexim të parë dhe unë dua me besuar në ndërgjegjen e tyre, në vlerat e qytetarëve të Kosovës që ata përfaqësojnë, në angazhimet e këtyre protestave që janë bërë për 20 ditë, në ‘Jo në emrin tim’, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djemve tanë, vëllezërve tanë, miqve tanë që kanë dalë dhe kanë protestuar kundër padrejtësisë që është bërë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin në Hagë atje”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka shprehur besimin se procesi do të vazhdojë edhe në lexim të dytë.
“Kështu që, edhe po dua me besuar e me shpresuar që ai motivi që ta shtyjnë këtë proces të ligjit edhe në lexim të dytë, do t’i japin mundësi mbrojtjes së vlerave tona, të shtetit tonë, i cili është krijuar me mundin, gjakun, sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur ai.
I pyetur nëse ky është momenti që shqiptarët të bëhen bashkë për këtë ligj, Hasani ka theksuar se çështja nuk duhet të ndahet në baza partiake.
“Po, këtu në këtë ligj nuk duhet me pasë parti. Duhet të ketë një ndërgjegje kombëtare dhe si shqiptarë duhet ta votojnë e t’i japin mundësi mbrojtjes së vlerave tona. Me shpresën që do të bëhen ndryshimet në Apel ose në Supreme, që ta arrijmë qëllimin që shtetin tonë ta mbrojmë”, ka deklaruar Hasani.