Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh me rëndësi në fusha të ndryshme, nga ekonomia dhe tregtia, te siguria dhe integrimet evropiane.
Në mesin e vendimeve kryesore është miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra), e cila synon liberalizimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve dhe përmirësimin e qasjes në treg për investime.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020, si dhe një sërë protokollesh shtesë në kuadër të CEFTA-s që lidhen me tregtinë në shërbime, lehtësimin e tregtisë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Në fushën e reformës së administratës publike, është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive.
Ndër projektligjet e tjera të miratuara janë edhe ai për inovacion dhe ndërmarrësi, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.
Qeveria ka marrë edhe vendime në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke shpallur Organizatën e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste në territorin e Kosovës.
