Vrasës e plaqkitës. Këto janë dy atribute të rënda që Konsulli i Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, i beson–dhe besimin e tij, e shpërfaqë publikisht–se i ka Hashim Thaçi, ish-Presidenti i Kosovës, tash e pesë vite në paraburgim në Gjykatën Speciale të Hagës ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ngarkohet me akuza si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Diplomati kosovar gjeti veten duke i dhënë miratim, përmes “llajkut”, një postimi ku Hashim Thaçit, i vishen akuza të rënda për “vrasje dhe plaqkitje”. Nacionale e kontaktoi Konsulatën në Frankfurt, dhe “llajku u hoq”. Arsyetimi ishte se u bë “pa qëllim” dhe se diplomati “nuk përfshihet në diskutime të tilla”. Se a beson njëmend në atë çka ka “pëlqyer”, Konsulata u përgjigj fare shkurt se “nuk beson”.
Një valë e madhe dënimesh ka pasur nga politikanë, opinionistë dhe profesionistë ndaj aktivitetit të konsullit kosovar. Shkarkimi i tij i menjëhershëm u kërkua nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarja e kësaj partie Vlora Çitaku, tha se veprimi i tij “nuk është rastësi dhe as qëndrim individual”, por “pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje”.
“Pëlqimi publik i një shkrimi denigrues dhe akuzues ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës nuk është rastësi dhe as qëndrim individual. Ai pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje, ku sulmi ndaj figurave të historisë shtetformuese është kthyer në mjet politik.” – tha Çitaku.
Veprime të tilla ajo i cilësoi si “dëmtim të drejtpërdrejtë të imazhit dhe interesit shtetëror.”
“Kur përfaqësues zyrtarë të shtetit përdorin ose mbështesin gjuhë përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësisnë e Kosovës, kjo nuk është kritikë politike, është dëmtim i drejtpërdrejtë i imazhit dhe interesit shtetëror. Aq më tepër kur kjo ndodh ndërkohë që ai prej vitesh përballet me drejtësinë në Hagë për Kosovën, jo për veten. – shtoi ajo ndër të tjera.
Ndërsa ish-këshilltari i Presidentit Thaçi Artan Behrami kujtoi se diplomatët kosovarë janë shkarkuar edhe për veprime më të vogla.
