KEDS ka reaguar përmes një komunikate për media pas akuzave të bëra sot nga një zyrtar i LDK’së se njehsorët matës të energjisë elektrike nuk llogarisin saktë shpenzimet që bëjnë qytetarët.
KEDS në reagim thonë se matësit e energjisë kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin kur vendosen dhe se kanë siguri maksimale.
“Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).Sinkronizimi i orës në njehsorë është realizuar me një nivel të lartë precizioni, duke garantuar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet në fuqi”, thuhet në reagim.
