Takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte spontan dhe nuk ishte planifikuar paraprakisht, kanë konfirmuar zyrtarë të Komisionit Evropian.“Ata u takuan rastësisht dhe shkurtimisht në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ishte një takim spontan, një nga rastet shumë të rralla të tilla, kështu që mendoj se nuk kemi asgjë për të shtuar përveç asaj që kam thënë tashmë. Takimi ishte shumë i shkurtër, spontan dhe asgjë më shumë se kaq”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, në një konferencë për media.
Vuçiq publikoi në Instagram një fotografi ku shihet duke i dhënë dorën Von der Leyen dhe tha se gjatë bisedës së shkurtër i kishte shprehur “mirënjohje të sinqertë për gjithçka që ka bërë për Serbinë gjatë viteve të fundit”.Ndërkohë, Von der Leyen publikoi në rrjetet sociale një seri takimesh që zhvilloi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, por nuk publikoi një postim për bisedën me presidentin serb.

