Në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, organizatat e shoqërisë civile u kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta përdorin me përgjegjësi këtë mundësi të fundit për të përmbushur detyrimin e tyre kushtetues dhe për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.
Përmes një komunikate për media, KDI thotë se dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik.
“Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit. Kthimi në votimin e hapur për Kryetarin e Kuvendit, sipas praktikës së deritanishme, është hap kyç dhe i domosdoshëm për të mundësuar zhbllokimin institucional”, thuhet në komunikatë.