Klanet Çela-Çopja ishin ndër sindikatat më të fuqishme kriminale në Evropë, vendimet e të cilave diktonin çmimin e kokainës në kontinent.
I drejtuar nga bosët Franc Çopja, 33 vjeç, dhe Ervis Çela, 41 vjeç, grupi shqiptar trafikoi sasi gjigante kokaine nga Amerika Latine në portet e BE-së. Të ardhurat i pastronin përmes një perandorie të gjerë tregtare që përfshinte pasuri të mëdha të paluajtshme, një resort turistik pesë-yjor, vila dhe apartamente.
Bosët e drogës grumbulluan aq shumë para sa që debatet mes tyre shkonin deri tek mënyra më e mirë për t’i fshehur, nën rrënjët e ullinjve apo duke i kthyer në ar.
Por, brenda pak ditësh, karteli u shkatërrua: Çopja dhe Çela u arrestuan së bashku me drejtuesit e tyre kryesorë, ndërsa pasuritë iu sekuestruan nga SPAK – taskforca shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në mars 2021, hetuesit arritën të depërtonin në Sky ECC, një shërbim mesazhesh të koduara, duke ekspozuar krimet e dyshuara.
Çela, i kërkuar në Itali për torturimin dhe vrasjen e një rivali shqiptar, u arrestua bashkë me dy vëllezërit e tij dhe tetë bashkëpunëtorë në bastisje të shpejta gjatë qershorit dhe gushtit.
Çopja ishte arrestuar në Belgjikë në dhjetor 2023 dhe është në gjyq për vrasje pasi u ekstradua nga vila e tij luksoze në Dubai. Ai konsiderohet “truri logjistik” i operacionit, duke siguruar transportin e kokainës përmes porteve të Evropës Veriore.
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga më të fuqishmet shqiptare në tregtinë ndërkombëtare të kokainës,” deklaruan prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara.
“Ajo kishte kapacitet të ndikonte drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe të menaxhonte sasi të mëdha të saj në periudha të shkurtra,” shtuan ata.
Karteli dyshohet se kontrollonte gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi dhe përpunimi në laboratorë në Paraguai, tek transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet evropiane, e deri tek pastrimi dhe qarkullimi i fitimeve në Shqipëri dhe jashtë saj.
Një pjesë e kokainës besohet se kalonte Kanalin Anglez drejt Britanisë, ku, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), bandat kriminale shqipfolëse kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut fitimprurës.
Një kilogram kokainë në Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet rreth 40,000 £, krahasuar me 20,000 £ në Europë.
Sipas Europol, Sky ECC përdorej gjerësisht për qëllime kriminale, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.
Edhe pse Sky ECC u mbyll, qindra milionë mesazhe të koduara kanë mbetur të disponueshme dhe janë analizuar për vite nga autoritetet ligjzbatuese në Evropë dhe më gjerë.
Një aktakuzë 282-faqëshe e lëshuar më 8 gusht nga SPAK, e publikuar nga The Telegraph , zbulon se grupi tentoi të transportonte 28 tonë kokainë të fshehur në kuti sapuni, kanaçe boje apo ngjitës industrial nga Paraguai në portet e Hamburgut dhe Antwerpit mes 2020-2021.
Më 12 shkurt 2021, 16.4 tonë kokainë e pastër, e fshehur në 1,700 kanaçe, me vlerë rruge rreth 3 miliardë £, u sekuestrua në porte – kapja më e madhe e kokainës në historinë e Evropës në atë kohë.
Një tjetër ngarkesë, që kaloi me sukses përmes portit të Antwerp-it në 2020, vlente 1.3 miliardë £.
Grupi zhvilloi një sistem të sofistikuar për transferimin e të ardhurave nga trafiku i drogës nga Europa drejt Shqipërisë, duke përdorur korrierë për transferime parash dhe një rrjet të ashtuquajtur “hawala”, që mundësonte qarkullimin e qindra milionë eurove në para cash.
Thuhet se Çela e drejtonte operacionin ndërsa ishte në arrati në Paraguai.