Policia e Shqipërisë ka publikuar pamje nga operacioni “Anchor” në Durrës, ku është goditur një skemë e dyshuar e trafikimit të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë operacionit, në Portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC.
Sipas Policisë, vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Nga hetimet dyshohet se droga sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti të porositur për blerje në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë.
