Një ngjarje e pazakonshme ndodhi të enjten pasdite në supermarketin “Viva Fresh” në Shupkovc të Mitrovicës. Një gjarpri që hyri këtu ia panë sherrin dy punëtore.
Ato nuk u ndjenë mirë dhe kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të ndikimit te to të sprejit paralizues ushtarak të cilin e kishte hedhur në hapësirat e marketit një punëtor i sigurimit, për të larguar zvarranikun.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, cili bëri të ditur se rasti është iniciuar për veprat “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës ” dhe “ shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ”.
Sipas policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte përdorur sprejin paralizues brenda marketit, me ç ‘rast dy punëtore kanë pësuar pasoja dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.
“ Lidhur me rastin e lartcekur, si pasojë e përdorimit të sprejit nga i dyshuari mashkull kosovar, ndihmë mjekësore kanë pranuar dy viktimat femra kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt ”, deklaroi Zahiti, për KosovaPress .
