Jetmir Tofaj, një ish-përfitues i bursës 2 vjeçare për studime master në Evropë, përmes programit të BE-së “Young Cell”, nuk po i përmbahet zotimit të nënshkruar me donatorin evropian dhe Qeverinë e Kosovës për të kontribuar për 3 vjet në Administratën Publike. Pas kthimit të tij këtë vit në vendlindje, Tofaj po synon të marrë post politik, pasi përfitoi financiarisht shkollimin në Gjermani përmes një programi që qëllimin kryesor ka ta ndihmojë Kosovën të gjenerojë një administratë publike të depolitizuar. Madje, këtë po synon ta arrijë pikërisht përmes Lëvizjes Vetëvendosje, që drejtohet nga shefi në detyrë i ekzekutivit, Albin Kurti, që e ka kandiduar inxhinierin e ri për kryetar të Junikut. Pasojat e mospërmbushjes së obligimeve post-bursiste, kandidati i LVV-së për kryetar të Junikut mund t’i bartë sipas Ligjit Grek, i zbatueshëm për bursistët përfitues të grantit të BE-së.
Kur Jetmir Tofaj, në janar të vitit 2023 , bashkë me 44 studentë të tjerë kosovarë që u përzgjodhën si gjenerata e XIII-të për të fituar bursa nga skema “Young Cell”, para se të udhëtonin për të kryer studimet master në universitetet më prestigjioze evropiane, nënshkruan të paktën dy marrëveshje në të cilat zotoheshin se me t’u kthyer në Kosovë do të përmbushin obligimin për angazhimin të pandërprerë tre vjeçar në Administratën Publike të Kosovë, përfshirë punësimin për komuna dhe qeveri lokale.
Dy vite më vonë, me t’u kthyer “me master” në Kosovë në fillim të vitit 2025, inxhinieri i ri nga Juniku “ që pati fatin të jetë bursisti i Bashkimit Evropian dhe të përfundojë studimet master në njërën nga universitetet më prestigjioze në botë ”, vetëm pak muaj pas përfundimit të bursës, e shkeli marrëveshjen e obligueshme si përfitues i bursës “Young Cell”, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian si krijuese e programit dhe Qeveria e Kosovës si përfituese, që implementimet nga Konsorciumi: Universiteti Aristotel i Selanikut në Greqi dhe Instituti Kombëtar për Shërbime Publike në Francë.
Tofaj më 28 korrik 2025 paraqiti kandidaturën e tij për Kryetar të Junikut, për një post politik, ndërkohë që në dy marrëveshje që i kishte nënshkruar vetë në vitin 2023 – njërën me Universitetin Aristotel të Selanikut, të ndërmjetuar nga Bashkimi Evropian; dhe tjetrën me Qeverinë e Kosovës – e obligojnë ish-bursistin e programit të BE-së për bursa post-diplomike që me t’u kthyer në Kosovë të kontribuojë në shërbimin civil dhe Administratën Publike.
Vetë qëllimi i bursave “Young Cell” prezantohet se në përputhje me standardet më të mira të BE-së, programi “ ndihmon Kosovën të gjenerojë një administratë publike të depolitizuar, profesionale, gjithëpërfshirëse dhe efektive, të aftë për të zbatuar legjislacionin e BE-së ”. Ndonëse, aktivitetet publike të Jetmir Totajt tregojnë se edhe në vitin 2023 kur po përgatitej për t’i vazhduar studimet me bursën e BE-se – dhe para saj – zhvillonte aktivitet politik, si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sikur të mos mjaftonte shkelja e marrëveshjes njëanshëm nga Tofaj, në këtë situatë “përfitimi financiar përmes mashtrimit” përfshihet edhe vetë Qeveria e Kosovës, e cila sipas marrëveshjes me BE-në obligohej ta sistemonte junikasin në Administratën Publike të Kosovës, menjëherë pas kthimit të tij në vendlindje. Kjo pasi Jetmir Tofaj u kandidua për post politik – në kundërshtim me kontratën për mbështetjen financiare të përfituar për studime master – pikërisht si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Junikut, parti që drejtohet nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Madje, ishte vetë shefi në detyrë i Qeverisë së Kosovës që më 28 korrik 2025 e prezantoi Tofajn si drejtues të qendrës së LVV-së në Junik dhe kandidat i partisë së tij në këtë komunë, për të cilin tha se “ do të na udhëheqë drejt fitores ”.
Në ueb sajtin zyrtar të “Young Cell Scheme”, tregohet se përfituesit përfituesi dhe partneri kryesor i projektit është Zyra e Kryeministrit të Kosovës, dhe se “ partneri dytësor i projektit është Ministria e Punëve të Brendshme “. Po ashtu, aty theksohet se “ përfituesi kryesor i projektit është Qeveria e Kosovës, në veçanti shërbimi civil i Kosovës “.
Gazeta online Reporteri.net, të martën, e ka pyetur për detaje dhe komente Zyrën e Kurtit në Qeveri të Kosovës dhe Ministrinë e Brendshme të Kosovës, brenda së cilës funksionon edhe Administrata Publike, rreth implikimit të ekzekutivit në shkeljen e marrëveshjes për bursën e BE-së për Tofajn, por deri në momentin e publikimit të artikullit, mediumi nuk ka marrë përgjigje.
“ Përdorimi i “blind copy” nuk është mënyrë e rregullt komunikimi, prandaj nuk e kemi të qartë se kujt konkretisht i është drejtuar kërkesa juaj ”, ka thënë të mërkurën Qëndrim Bytyqi, Drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik që funksionon brenda MPB-së, por që nuk është lajmëruar më as pasi i është precizuar adresimi.
Në të njëjtin komunikim me e-mail, Bytyqi ka sugjeruar dhe është lutur që pyetjet të dërgohen në Divizionin për Komunikim me Publikun në MPB, “ ose në institucionin tjetër përkatës, varësisht se kujt i keni drejtuar ”.
Komente e sqarime tjera në lidhje me këtë rast nuk kanë paraqitur as Zyra në Prishtinë e Bashkimit Evropian dhe projekti i tyre “Young Cell”. Nga Zyra e BE-së në Prishtinë vetëm kanë konfirmuar të premten se “ Jetmir Tofaj iu dha një bursë dyvjeçare në Raundin e XIII-të të Skemës Young Cell (YCS) që filloi në vitin akademik 2023-2024, për sektorët e Energjisë, Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, si dhe Transportit “
Në mesin e pyetjeve për BE-në, Qeverinë e Kosovës dhe skemën e bursës, gazeta online Reporteri.net është interesuar tek palët edhe në lidhje me masat që parashihen me kontratë të ndërmerren ndaj përfituesve që “mashtrojnë” dhe nuk iu përmbahen obligimeve pas përfundimit të studimeve të financuara nga programi. Dhe, po ashtu, nëse kontratat parashohin ndjekje penale ndaj personave që shkelin kushtet e marrëveshjes, por për këtë pjesë as nga BE-ja nuk janë përgjigjur, megjithëse dhanë një sugjerim.
“ Ju lutemi vini re se Rregullat e Procedurave për Raundin XIII të YCS përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e përfituesve të grantit/bursës “, tha me e-mail Nikola Gaon, shef i zyrës për komunikim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
