Numri 72 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës i takon kandidatit për deputet nga Istogu, Naim Behlulaj.
Behlulaj ka vlerësuar besimin e dhënë nga kryetari i degës së LDK-së në Istog, Ilir Ferati, me çrast shprehu falenderimet për të dhe gjithë strukturat e partisë.
“Ky besim i dhënë për mua përfaqëson nder të veçantë, por njëkohësisht edhe përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve të Komunës së Istogut dhe gjithë Republikës së Kosovës. Andaj, shpreh falënderimin tim të sinqertë ndaj kryetarit z. Ilir Ferati, kryesisë së degës, strukturave të LDK-së dhe të gjithë bashkëpunëtorëve për vlerësimin dhe besimin që më është dhënë në këtë rrugëtim politik”, tha ai.
Behlulaj tha se në këtë garë zgjedhore so të hy me besim, dinjitet dhe respekt për secilin qytetar, duke kërkuar mbështetjen e tyre.
“Gjatë angazhimit tim institucional dhe publik, jam munduar gjithmonë të jem pranë qytetarëve, duke punuar me përkushtim, korrektësi dhe transparencë në shërbim të interesit të përgjithshëm. Prandaj, këtë kandidaturë e konsideroj si vazhdim të angazhimit tim për të përfaqësuar denjësisht kërkesat, nevojat dhe interesat e qytetarëve tanë, pa dallim bindjeje politike, përkatësie partiake, race apo gjinie.
Kosova ka nevojë për përfaqësim të ndershëm, përkushtim institucional dhe vizion të qartë për zhvillim, arsim, mirëqenie dhe forcim të shtetit demokratik. Me përvojën dhe angazhimin tim, do të jem zë i qytetarëve dhe do të punoj me përgjegjësi për të kontribuar në avancimin e proceseve të rëndësishme për vendin tonë”, tha ai.