Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një linjë direkte në Debat Plus, ka thënë se ofertat e Albin Kurtit ndaj partive opozitare për bashkëqeverisje kanë qenë qesharake.
“Po mendoj që nuk kanë qenë oferta serioze dhe të sinqerta. LDK-ja e ka provuar një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe prej atij koalicioni është dashur të shkëputet shumë shpejt, për shkak se nuk ka qenë partner i sinqertë. Nëse lidhet një marrëveshje, ajo duhet të respektohet”, ka deklaruar Kadrijaj.
Sa i përket ftesës që Kurti i ka bërë Fatmir Limajt, deputetja tha se kjo dëshmon mungesën e sinqeritetit të tij.
“Në takimin që ka pasur me bashkatdhetarët në Britani, në Londër, shiheni sa i pasinqertë ka qenë duke thënë se ka pasur kaq numra, ndërsa ka kërkuar kaq. Unë i kam ofruar këto – pra asgjë këtu nuk ka pasur sinqeritet. Nuk ka qenë një marrëveshje apo disa takime që kanë kërkuar bashkëpunim të sinqertë e korrekt, që ndoshta do të kishin qenë në të mirë të Kosovës”, ka thënë ajo.
