Detaje të reja dhe shqetësuese kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Viktima kishte paralajmëruar Policinë e Kosovës që në muajin korrik se ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, posedonte armë zjarri dhe se ajo ndihej e rrezikuar prej tij. Megjithatë, sipas raportit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, institucionet nuk kishin ndërmarrë veprime konkrete për verifikimin e armës.
Sipas të dhënave të raportit, më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj ishte paraqitur në Stacionin Policor në Pejë, ku kishte deklaruar se ish-bashkëshorti i saj e kishte kërcënuar me vdekje dhe e kishte larguar nga shtëpia.
Gjatë deklarimit para hetuesve policorë, ajo kishte treguar se Jeton Sylaj posedonte armë zjarri me leje, ndërsa kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.
“Po Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë. Nuk e di ku ndodhet arma. Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni”, kishte deklaruar viktima.
Policia dhe Prokuroria ishin njoftuar, por arma nuk u verifikua
Sipas raportit të Inspektoratit Policor të Kosovës, hetuesi policor Qëndrim Sheremeti kishte njoftuar prokuroren kujdestare, Sadije Muriqi, lidhur me deklaratën e Arlindës.
Megjithatë, raporti evidenton se nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret për sekuestrimin e armës.
“Përkundër kësaj lidhur me deklarimin se i dyshuari posedon armë, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret për sekuestrimin e armës”, thuhet në raportin e IPK-së.
Arma u gjet në shtëpinë e Jeton Sylajt vetëm pas vrasjes
Një tjetër element i rëndësishëm del nga vlerësimi i koordinatorit nacional për dhunën në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorit Ersan Qavolli.
Sipas tij, institucionet nuk kishin verifikuar as përmes sistemit zyrtar nëse Jeton Sylaj posedonte armë me leje dhe as nëse arma ndodhej në shtëpinë e tij.
Vetëm pas vrasjes së Arlinda Zekajt, në shtëpinë e ish-bashkëshortit të saj ishte gjetur një armë.
“Nga kjo vërehet se çështja e armës së përmendur nga viktima nuk është trajtuar, nuk verifikuar fillimisht përmes sistemit nëse Jeton Sylaj posedon armë me leje, nuk është verifikuar në shtëpinë e tij nëse ka armë në shtëpi dhe çështje të tjera me rëndësi, e që pas rastit kritik rezulton se në shtëpinë e Jeton Sylaj është gjetur armë”, thuhet në vlerësimin e Qavollit.
Në dijeni ishte edhe kryeprokurorja e Pejës
Sipas raportit, për rrethanat e rastit dhe deklarimin e viktimës lidhur me armën kishte qenë në dijeni edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.




