Pas disa ditësh me temperatura përvëluese, në Kosovë pritet një ndryshim i ndjeshëm i motit. Fillimi i javës do të dominohet nga vapa intensive, me temperatura që në disa zona do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius, ndërsa nga mesi i javës një masë ajrore më e freskët do të sjellë ulje të temperaturave, reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh.
Sipas parashikimit javor të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, java e fundit e muajit qershor dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga kontraste të theksuara të motit.
“Java e fundit e muajit qershor dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga mot fillimisht shumë i nxehtë, ndërsa nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh”, thuhet në njoftimin e IHMK-së transmeton Klankosova.tv. Dita më e nxehtë pritet të jetë e hëna, kur temperaturat maksimale do të lëvizin nga 32 deri në 38 gradë Celsius. Edhe të martën moti do të mbetet shumë i nxehtë, me temperatura deri në 35 gradë, ndërsa gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave dhe reshje lokale në disa zona.
Ndryshimi më i madh pritet të ndodhë të mërkurën, kur moti do të bëhet më i paqëndrueshëm.
“Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe erërave të përkohshme më të fuqishme”, njofton Instituti. Temperaturat do të pësojnë rënie të dukshme të enjten dhe të premten, kur maksimalet do të zbresin në intervalin 24–28 gradë Celsius, ndërsa moti do të jetë kryesisht me diell, me mundësi për reshje të izoluara gjatë orëve të pasdites.
